Prej javësh, bizneset po përballen me vështirësi për shkak të bllokimit të platformës selfcare të fiskalizimit, që pengon aktivitetin e tyre normal.
Ky dështim është vetëm maja e ajsbergut të problemeve në infrastrukturën digjitale të institucioneve publike. Sipas burimeve nga tregu, po kalon një krizë të heshtur mirëmbajtjeje, me arsyen kryesore ankesat e përsëritura në procedurat e prokurimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Një grup operatorësh ekonomikë paraqet ankesa seriale, duke bllokuar për muaj të tërë finalizimin e prokurimeve për mirëmbajtjen e sistemeve kritike. Kështu, institucionet mbeten pa kontrata për sistemet që menaxhojnë të dhëna sensitive të qytetarëve dhe procese administrative.
Vonesat e tejzgjatura sjellin amortizim të sistemeve, nevojë për investime shtesë dhe angazhim më të madh të operatorëve. Pasojat përfshijnë ndërprerje të shërbimeve digjitale, pezullim të procedurave dhe penalizim të operatorëve me kapacitete reale.
Burimet nënvizojnë rrezikun për sigurinë kombëtare nga bllokimi i procedurave të prokurimit, që pengon vazhdueshmërinë e kontratave dhe ekspozon institucionet ndaj mungesës së shërbimeve esenciale.