Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU Gjakova ka njoftuar se, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë, është përballur me vështirësi në furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm. Rritja e ndjeshme e konsumit dhe rastet e keqpërdorimit kanë detyruar ndërmarrjen të aplikojë kufizime, me qëllim shpërndarjen sa më të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët.
Reduktimet do të zbatohen gjatë natës, në intervalin kohor prej orës 22:00 deri në orën 06:00. Zonat të cilat do të preken nga ky vendim janë:
• Lipoveci
• Gërqina
• Demjani 1
• Cërmjani
• Rahoveci
Në njoftimin e saj, KRU Gjakova u ka bërë thirrje konsumatorëve që ujin ta përdorin me përgjegjësi dhe vetëm për nevoja të domosdoshme. Kompania ka paralajmëruar se ekipet e saj do të monitorojnë situatën në terren dhe do të ndërmarrin masa ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin ujin e pijshëm, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.