Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU Prishtina ka zhvilluar sot një aksion në zonën e kryeqytetit me qëllim arkëtimin e borxheve dhe ndalimin e keqpërdorimeve në rrjet. Sipas njoftimit zyrtar, masa e shkyçjes është ndërmarrë ndaj atyre konsumatorëve, borxhet e të cilëve variojnë nga 500 euro deri në 3 mijë euro.
Gjatë kontrolleve në terren, ekipet e kompanisë kanë identifikuar lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit, për të cilat janë marrë masat e nevojshme konform ligjit. Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të shlyejnë obligimet e tyre financiare dhe të shmangin çdo formë të lidhjes së paligjshme, duke theksuar se ky aksion synon rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara.
Sipas KRU Prishtina, këto masa do të vazhdojnë të zbatohen përgjatë gjithë muajit, si pjesë e përpjekjeve për të disiplinuar pagesat dhe për të parandaluar keqpërdorimin e ujit të pijshëm.