Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka vazhduar aksionet ndaj konsumatorëve me borxhe të papaguara dhe atyre të lidhur në mënyrë ilegale në rrjetin e furnizimit me ujë. Sipas njoftimit të kompanisë në Facebook, gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar shtatë shkyçje nga rrjeti i ujësjellësit në Prishtinë, për shkak të borxheve dhe lidhjeve ilegale.
Kompania ka ndërmarrë aksione në terren për të identifikuar dhe ndërprerë lidhjet ilegale, si dhe për të shkyçur konsumatorët që nuk i kanë shlyer detyrimet financiare. KRU Prishtina ka bërë të ditur se kontrollet në terren do të vazhdojnë, me synimin për të siguruar shfrytëzim të rregullt të rrjetit të furnizimit me ujë dhe për të trajtuar rastet e borxheve të papaguara.
Më 15 tetor, kompania u rikujtoi konsumatorëve se kanë afat prej 10 ditësh për të paguar faturat e ujit. Ajo paralajmëroi se furnizimi mund të ndërpritet për ata që nuk kryejnë pagesat brenda afatit.
“Ju lutemi që pagesat t’i kryeni me kohë për të shmangur ndërprerjet e mundshme”, thuhej në mesazhin e kompanisë. KRU Prishtina u bëri thirrje konsumatorëve t’i paguajnë faturat në kohë, për të shmangur shkyçjen nga rrjeti i furnizimit me ujë.