Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, mbërriti pasditen e sotme në Ohër në kuadër të një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Pritja zyrtare në aeroport u krye nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Pas mbërritjes, kryeministri serb zhvilloi një takim kokë më kokë me nikoqirin e tij, kryeministrin Hristijan Mickoski. Në qendër të bisedimeve ishin sfidat aktuale rajonale, mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, lidhjet infrastrukturore dhe nismat e përbashkëta për zhvillim. Liderët vlerësuan takimin si konstruktiv dhe theksuan rëndësinë e dialogut për forcimin e stabilitetit në rajon.
Sipas deklaratave të përbashkëta të publikuara, të dy palët shprehën gatishmërinë për të avancuar marrëdhëniet miqësore, të cilat mbështeten në respektin reciprok dhe interesin e përbashkët për prosperitetin e dy vendeve. Kryeministri Macut vuri në dukje se bashkëpunimi do të përqendrohet në projekte konkrete, veçanërisht në fushat e energjetikës, infrastrukturës, ekonomisë dhe lidhshmërisë rajonale.
Kryeministri Mickoski theksoi se vizita në Ohër, si qytet me rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, përfaqëson një urë lidhëse që kontribuon në miqësinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy shteteve.