Burim Shala, kryeshef ekzekutiv i kompanisë rajonale Eko-Regjioni në Prizren, është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ndalimi u bë të premten, 30 janar 2026, si vazhdim i hetimeve për dyshime në proceset e prokurimit publik.
Shala dyshohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 414, paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Hetimet lidhen me një tender për blerjen e 5 kamionëve dhe një autofshese në vlerë rreth 400 mijë euro.
Të hënën, 26 janar, autoritetet zhvilluan bastisje në Prizren, Ferizaj dhe ambientet e Eko-Regjionit. Atëherë u arrestuan:
- Arbër Gashi, shef i njësisë në Prizren të Eko-Regjionit;
- Ragip Zejna, drejtor i kompanisë Dielli Construction me seli në Ferizaj.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e Shalës u gjetën dhe sekuestruan një pushkë AK-47 automatike si dhe para të gatshme.
Kompanja Eko-Regjioni ka reaguar duke thënë se Shala ndodhet në Itali për arsye familjare që nga e shtuna dhe pritet të kthehet brenda kësaj jave. Ajo hedh poshtë pretendimet për arrati dhe thekson se vizita nuk ka lidhje me hetimet.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet vazhdojnë dhe do të ndërmarrë veprime të tjera procedurale sipas ligjit.
Përditësime
Prokurori Halim Borovci ka konfirmuar bastisjet në zyrat dhe shtëpinë e kryeshefit të Eko-Regjionit në Prizren, Shala.
Rasti bazohet në hulumtimin e portalit Betimi për Drejtësi, të publikuar në mars 2025, për një tender të dyshuar.
Kamionët dhe autofsheset e Eko-Regionit në Prizren janë lënë në parkingun e kompanisë për gati një vit pa u përdorur.