Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar për krizën e vazhdueshme institucionale në Kosovë. Ai thekson se vendi po kalon nga një palë zgjedhje në tjera pa arritur të krijojë institucione funksionale për gati dy vjet.
Kryeziu shtron pyetjen nëse problemi qëndron te sistemi politik apo te mendësia politike që vazhdon të dominojë skenën. Sipas tij, sistemi zgjedhor proporcional dhe Kushtetuta e Kosovës janë ndërtuar për të nxitur bashkëpunimin dhe kompromisin politik, duke promovuar një model demokracie konsensuale.
"Sistemi zgjedhor proporcional dhe Kushtetuta jonë janë të dizajnuara si një rregull shoqëror që promovon bashkëpunimin dhe kompromisin politik", deklaron ai. Ky sistem e bën pothuajse të pamundur që një parti të qeverisë e vetme, duke detyruar subjektet politike të bashkëpunojnë për shumicën parlamentare dhe formimin e qeverisë, përfshirë përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Megjithatë, praktika politike në Kosovë dominohet nga një mendësi bajraktariste, ku politikanët e shohin politikën si dominim lideri dhe jo si proces kompromisi e bashkëpunimi. Kjo përplasje midis sistemit dhe praktikës prodhon kriza të vazhdueshme institucionale dhe zgjedhje të shpeshta.
Kryeziu paralajmëron se, nëse mospërputhja vazhdon, ciklet e krizave do të përsëriten. Dilema, sipas tij, është e qartë: ose të mësojnë të funksionojnë brenda këtij sistemi përmes kompromisit, ose të shqyrtojnë ndryshimin e sistemit për ta përshtatur me realitetin politik.