Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, u konstatua një mjet lundrues i tipit Jet Ski, i cili ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin.
Kjo shkelje ka vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e pushuesve. Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua nga autoritetet, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh.
Policia e Shtetit u ka përsëritur apelin të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë veprimtari në këtë sektor, që të respektojnë rigorozisht perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit. Kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik për të parandaluar incidente të ngjashme.