Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar vendosjen e një kufizimi të përkohshëm për automjetet që transportojnë mallra dhe kanë një masë totale mbi 20 tonë. Ky vendim është ndërmarrë si masë mbrojtëse për shkak të temperaturave të larta, të cilat parashikohet të arrijnë në 32 gradë Celsius ose më shumë gjatë ditës së sotme.
Kufizimi është i vlefshëm ekskluzivisht për qarkullimin në autoudhë dhe do të zbatohet në periudhën kohore nga ora 11:00 deri në orën 17:30. Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, ato të shërbimeve emergjente, si dhe automjetet e institucioneve shëndetësore. Në rrugët nacionale, rajonale dhe rrugët lidhëse, qarkullimi i të gjitha mjeteve do të vazhdojë pa kufizime.
Institucionet përgjegjëse u kanë bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë orarin e përcaktuar dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me këto udhëzime, në mënyrë që të shmanget çdo vonesë apo ndëshkim gjatë procesit të transportit.
Përditësime
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njoftoi se kufizimi i qarkullimit për kamionët mbi 20 tonë do të mbetet në fuqi edhe për ditën e nesërme. Autoritetet e morën këtë vendim për shkak të temperaturave të larta, të cilat pritet të arrijnë sërish në 32 gradë Celsius.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit zgjeroi masën kufizuese për qarkullimin e kamionëve mbi 20 tonë edhe për ditën e diel, 30 gusht. Ky vendim pason masën e mëparshme të aplikuar për ditën e shtunë, me qëllim parandalimin e dëmtimit të infrastrukturës rrugore për shkak të temperaturave të larta.