Për shkak të kushteve klimatike dhe temperaturave të larta të parashikuara, të cilat pritet të arrijnë ose të tejkalojnë vlerën prej 32 gradë Celsius, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar vendosjen e një kufizimi të përkohshëm për automjetet e rënda. Vendimi prek automjetet e transportit të mallrave, masa totale e të cilave është mbi 20 tonë.
Kufizimi është i vlefshëm ekskluzivisht për qarkullimin në autoudhë, gjatë harkut kohor nga ora 11:00 deri në orën 17:30. Në rrugët nacionale, rajonale dhe ato lidhëse, lëvizja e këtyre mjeteve të transportit do të vijojë të lejohet pa asnjë kufizim.
Nga kjo masë përjashtohen kategoritë e automjeteve që janë të angazhuara në shërbime të caktuara, konkretisht:
• Automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike
• Automjetet e shërbimeve emergjente
• Automjetet e institucioneve shëndetësore
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe të gjithë drejtuesve të automjeteve të transportit që t'i përmbahen këtij orari të përcaktuar dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me udhëzimet e dhëna për të garantuar sigurinë në trafik gjatë ditëve me temperatura të larta.