Kujtim Mara, banor i Rrashbullit që jeton prej 30 vitesh në Itali, u paraqit në emisionin investigativ „Tak Fak“ të News24 për të denoncuar zaptimin e pronës së tij.
Në vitin 2025, Mara vendosi të shesë një sipërfaqe tokë prej 13 mijë metrash katrorë, të cilën e zotëron me certifikatë pronësie. Gjatë përgatitjes së dokumenteve, ai zbuloi se prona ishte zaptuar nga dy persona, të afërm të fisit të tij. Njëri prej tyre kishte zënë rreth 800 metra katrorë, ku kishte ndërtuar një banesë, ndërsa tjetri kishte hapur një rrugë drejt biznesit të tij, duke përdorur një pjesë të tokës pa lejen e pronarit.
Mara iu drejtua disa institucioneve, përfshirë Bashkinë, IMT-në, IKMT-në, Policinë, ASHK-në dhe SPAK-un, por nuk mori përgjigje konkrete. Pas interesimit të vazhdueshëm, IKMT i dërgoi një kërkesë IMT-së së Durrësit për të marrë informacion nga ASHK lidhur me procesin e legalizimit të nisur nga të zaptuesit që në vitin 2018. Megjithatë, ASHK nuk ka kthyer përgjigje për më shumë se një vit.
Gjendja e Marës është rënduar nga problemet shëndetësore, ndërsa ai vazhdon të kërkojë zgjidhje. Ekipi i „Tak Fak“-ut e shoqëroi atë pranë IMT-së së Durrësit, ku u bë një kërkesë zyrtare tjetër. Dy javë më pas, gazetari i emisionit takohet me kryeinspektorin Igli Ngresi, i cili u shpreh i habitur për mungesën e përgjigjes nga ASHK, ndërkohë që në raste të tjera përgjigjet vijnë normalisht.
Ngresi premtoi se do ta ndjekë personalisht çështjen, duke dhënë shpresë për një zgjidhje pas një kalvari të gjatë burokratik.