Gjatë vizitës zyrtare në Paris, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro zhvilloi takime me përfaqësues të politikës, jetës akademike dhe sektorit të arsimit francez. Fokus kryesor ishte bashkëpunimi për hapjen e Liceut Francez të Korçës, si marrëveshje mes qeverive shqiptare dhe franceze.
Kumbaro u takua me Ministren për Frankofoninë, Partneritetet Ndërkombëtare dhe shtetasit francezë jashtë vendit, Éléonore Caroit. Ato diskutuan për ofertën arsimore të liceut, i cili do t’u mundësojë nxënësve të marrin diplomën e maturës franceze me orientim shkencor. Ministrja Kumbaro theksoi se ky projekt po avancohen detajet e fundit për ta kthyer në model ekselence në arsimin parauniversitar, duke forcuar lidhjet arsimore, kulturore dhe gjuhësore mes dy vendeve.
Në një takim tjetër, ajo u prit nga Bertrand Buchwalter, këshilltar i Presidentit francez Emmanuel Macron. Diskutimet u përqendruan te Liceu Francez i Korçës dhe bashkëpunimi mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Teknologjik të Compiègne.
Më herët, Kumbaro zhvilloi një takim me Jean-Paul Seytre, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për Çështjet Globale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në qendër ishte projekti i Liceut Francez të Korçës, i cili do të lëshojë dy diploma – maturën shqiptare dhe atë franceze, të homologuara nga Ministria e Arsimit franceze. Ky institucion do të funksionojë sipas një ligji të posaçëm, aktualisht në fazën e konsultimit publik, dhe do të mirëpresë nxënës nga i gjithë rajoni.
Gjithashtu, në selinë e UNESCO-s, ministrja u takua me drejtorin e përgjithshëm Khaled El-Enany. Ato trajtuan ekspertizën e organizatës për programin “Pas Shkolle” dhe reformën e kërkimit shkencor, në kontekstin e rishikimit të ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Vizita lidhet me raportin “Global Education Monitoring Report 2026” për aksesin dhe barazinë në arsim.