Kupa e Botës 2026 po shoqërohet me ndryshime të shumta në stolin e kombëtareve pjesëmarrëse. Deri në këtë fazë të turneut, 13 trajnerë janë larguar nga detyra për arsye të ndryshme, që variojnë nga shkarkimet pas humbjeve të rënda, dorëheqjet pas eliminimit apo klima jo e favorshme brenda përfaqësueseve.
Ndër largimet më të fundit është ai i trajnerit të Portugalisë, Roberto Martinez, i cili dha dorëheqjen pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në fazën e 1/8-tës. Ai e mbylli aventurën trevjeçare e gjysmë, duke theksuar se objektivi i tij ishte fitimi i trofeut. Po në të njëjtën fazë, Javier Aguirre i dha fund mandatit të tij si trajner i Meksikës pas disfatës 3-2 përballë Anglisë.
Situatë e vështirë është regjistruar edhe te përfaqësuesja e Tunizisë, e cila kaloi dy trajnerë gjatë turneut. Sabri Lamouchi u largua pas humbjes 5-1 ndaj Suedisë, ndërsa pasardhësi i tij, Herve Renard, vendosi gjithashtu të largohej pas eliminimit të skuadrës.
Gjithashtu, Steve Clarke dha dorëheqjen si trajner i Skocisë menjëherë pas eliminimit në fazën e grupeve, pavarësisht rinovimit të kontratës pak javë para fillimit të turneut. Në listën e trajnerëve të larguar bën pjesë edhe Hong Myung-bo, aventura e të cilit me Korenë e Jugut përfundoi pas performancave të dobëta në fazën e grupeve.