Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti fjalim para parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2026.
Kurti tha se parada nuk është demonstrim force përballë dikujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit, si dhe e aftësisë për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore.
Ai nënvizoi se Kosova nuk i mbyll sytë para padrejtësive ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë, ku po mbahen në paraburgime të stërzgjatura në procese gjyqësore jo transparente. "Besojmë në drejtësi, por nuk do të lejojmë të rishkruajnë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare dhe anti-kolonialiste", deklaroi Kurti.
Në fjalimin e tij, Kurti rikujtoi se Republika e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008 në Kuvend nga të zgjedhurit e popullit, si rezultat i rezistencës paqësore, sakrificës popullore, luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjes ndërkombëtare të NATO-s kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Shteti u lind me orientim drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa liria u ngjiz nga përpjekjet ndër breza dhe qëndresa e pamposhtur. Kurti u përkul para dëshmorëve dhe të rënëve për liri, i quajti ata themelet e Republikës, nderon invalidët dhe veteranët e UÇK-së, si dhe falënderoi aleatët ndërkombëtarë që qëndruan në anën e drejtësisë historike.
Ai përmendi gjithashtu investimet në FSK, e cila është ushtri e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.
Përditësime
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se shpenzimet për FSK janë shumëfishuar dhe numri i pjesëtarëve të saj është dyfishuar. Qeveria ka investuar mbi 450 milionë euro në armatim modern, pajisje dhe sisteme komunikimi. FSK-ja po zhvillohet si ushtri profesionale e ndërveprueshme me aleatët ndërkombëtarë.