Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, si dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Gjatë një interviste për RTK, Kurti ka thënë se po zhvillon takime të shumta me diplomatë dhe politikanë nga vende evropiane dhe bota. Në këto biseda, ai synon të paraqesë arritjet e Kosovës, planet dhe objektivat e ardhshme.
Kryeministri u ndal te tema kryesore e konferencës, e titulluar “Shkatërrimi”, që fokusohet te pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimet globale. Ai e cilësoi Kosovën si vend që ndriçon për demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.
“Kur po bisedojmë me diplomatët dhe politikanët ndërkombëtarë, themi që ne nuk kemi sfida të sigurisë që mund të na cenojnë nga brenda. Të tilla kemi nga fqinjët tanë veriorë dhe agresivë, por ne jemi duke investuar shumë, si në polici, ashtu edhe në ushtri, me partnerët evropianë, për të forcuar aftësitë dhe masat tona”, deklaroi Kurti.
Ai nënvizoi se këto investime dhe bashkëpunime po fuqizojnë Kosovën, duke e bërë atë pikë referimi për stabilitet dhe siguri në rajon. Gjithashtu, Kurti takoi sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, me të cilin diskutoi çështje të diasporës.
Në intervistë, kryeministri përgëzoi Kuvendin e Kosovës për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar se mbi një miliard euro janë miratuar nga Banka Qendrore dhe Këshilli Evropian.
Përditësime
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi takime bilaterale në e 62-të Konferencë të Sigurisë në Mynih (MSC) me:
- Kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković dhe Gordan Grlić Radman;
- Johann Wadephul, Hans-Georg Engelke dhe deputetin gjerman Jürgen Hardt;
- Espen Barth Eide;
- Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego;
- Kryeministrin e Belgjikës Alexander De Croo.
Kurti prezantoi arritjet e Kosovës gjatë 5 viteve të fundit dhe projektet e mandatit të ri qeverisës.
"Investimet në polici dhe ushtri do t’i rrisim dhe zgjerojmë bashkë me partnerët tanë demokratikë dhe perëndimorë, që ta forcojmë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar", deklaroi Kurti.