Në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Espen Barth Eide.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, biseda u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, si dhe në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar që ofron marrëveshja EFTA.
Palët diskutuan fusha me interes të përbashkët, duke veçuar sektorët:
- ekonominë;
- teknologjinë;
- energjinë;
- minierat dhe mineralet;
- infrastrukturën.
Kryeministri Kurti theksoi planet dhe projektet e mëdha kapitale të qeverisë gjatë këtij mandati të ri, veçanërisht në infrastrukturën kritike, sport dhe transport. Këto projekte u cilësuan si mundësi për investitorë të huaj.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohjen për miqësinë, kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë ndaj Kosovës, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.