Kryetarja e subjektit politik Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për emisionin Euro n'T7, ka vlerësuar se debati rreth projektit të gazit amerikan duhet të zhvillohet duke u përqendruar në fakte dhe analiza ekonomike. Sipas saj, diskutimi për këtë temë nuk mund të reduktohet në etiketime si "pro apo kundër Amerikës".
Kusari-Lila shprehu shqetësimin se çështja mori një kahje tjetër në opinionin publik, duke u shndërruar në një diskurs se gjoja qeveria aktuale nuk mbështet gazin. Ajo theksoi se nuk është e mundur të ketë një qeveri anti-amerikane në një popull që tradicionalisht është pro-amerikan.
Sa i përket aspektit teknik të projektit, ministrja bëri të ditur se pajtohet me kolegët e saj në Qeverinë Kurti se shtrirja e infrastrukturës së gazit për amvisëritë në të gjithë territorin e Kosovës është e panevojshme. Si argument kryesor, ajo përmendi mungesën e historisë së përdorimit të gazit nga ana e qytetarëve kosovarë, duke shtuar se debati duhet të përfshijë domosdoshmërisht përfitimet, sfidat dhe obligimet që mund të lindin nga një investim i tillë.
Në deklaratën e saj, Kusari-Lila nënvizoi se debati publik mbi gazin ka shpërfillur shpeshherë analizën e mirëfilltë të përfitimeve dhe obligimeve që shteti merr përsipër në raste të tilla. Ajo bëri thirrje për një qasje më racionale dhe më pak të politizuar ndaj projekteve të mëdha infrastrukturore.