Kuvendi i Kosovës formoi më 29 tetor Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje. Vendimi u miratua me 90 vota për. Komisioni do të ketë 11 anëtarë dhe mandat maksimal prej gjashtë muajsh.
Kryetar i komisionit u zgjodh Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa zëvendëskryetar është Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje. Anëtarët e tjerë janë Armend Baloku, Arjeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelina Tërshani nga Vetëvendosja; Besa Kabashi-Rama dhe Eman Rrahmani nga Partia Demokratike e Kosovës; si dhe Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në komision janë gjithashtu Jovana Radosavljeviq dhe Emilia Rexhepi, në përfaqësim të komuniteteve.
Komisioni do të shqyrtojë rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë e institucioneve përkatëse. Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, kërkoi që hetimi të përfshijë më shumë institucione, duke përmendur Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi që komisioni të veprojë në përputhje me ligjin dhe raporti përfundimtar t’i paraqitet Kuvendit brenda afatit gjashtëmujor.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbështeti themelimin e komisionit dhe tha se është e gatshme të bashkëpunojë, të japë përgjigjet e kërkuara dhe të ndihmojë në zbardhjen e fakteve që disponon institucioni që drejton.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Sipas disa burimeve, tri ditë para vrasjes ajo u kishte shkruar institucioneve, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Albanian Post raporton se i dyshuari kryesor, ish-kunati i saj Albert Sylaj, u arrestua më 27 tetor dhe se Gjykata Themelore në Pejë i caktoi një muaj paraburgim nën dyshimin për vrasje të rëndë.