Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes.
Deputetët miratuan projektligjin me 103 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenim. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, konfirmoi se Kuvendi miratoi ratifikimin e marrëveshjes.
"Konstatoj që me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes", tha ajo.
Të martën, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë miratoi projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar Bordit të Paqes. Nga vendet e Bashkimit Evropian, vetëm Hungaria dhe Bullgaria janë anëtare.
Ky bord mbikëqyr zbatimin e planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës dhe rindërtimin e saj. Bordi u themelua dhe udhëhiqet nga presidenti amerikan Donald Trump.
Përditësime
Kuvendi i Kosovës miratoi me 103 vota anëtarësimin në Bordin e Paqes, duke përfshirë dërgimin e FSK-së në Gazë si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Kosova renditet ndër 5 shtetet e para që u zotuan për trupat paqeruajtëse në Gazë, pa kontribut financiar.
Vjosa Osmani mori pjesë në takimin inaugurues të Bordit më 19 shkurt në Washington.
Projektligji ishte paraparë për seancën e 27 prillit, por u shtua në rend të ditës sot.