Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 27 janar 2026 projektligjin për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal me 85 vota pro, 9 kundër dhe zero abstenime. Mes ndryshimeve kryesore është dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, me propozim të qeverisë.
Gazetarët e punësuar ose të vetëpunësuar, të regjistruar sipas legjislacionit në fuqi, nuk mbajnë përgjegjësi penale për shpifjen kur përhapin me mirëbesim të dhëna, thënie ose informacion tjetër përmes shtypit, medias audiovizive, elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik, pavarësisht shtetësisë apo vendit të aktivitetit. Kjo vlen nëse nuk kanë dijeni se informacioni është i rremë dhe kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për verifikim.
Ndryshimet prekin edhe nenin për "Goditjet për shkak të detyrës", duke shtuar dhunën ndaj gazetarëve. Qeveria argumenton se këto ndryshime janë në përafrim me aktet e Komisionit Evropian, forcojnë shtetin e së drejtës dhe rrisin sigurinë publike. Mes tyre:
- ashpërsim i dënimeve për veprat ndaj fëmijëve, ato me natyrë seksuale, përhapjen e terrorizmit, ndërtimet e paligjshme dhe zjarrvënien e qëllimshme;
- shtohet si vepër penale parkimi i dyfishtë kur pengon seriozisht qarkullimin ose mjetet e emergjencës.
Reagimi i OSBE-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpriti ndryshimet si hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes. "Forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së. Ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale", thuhet në deklaratë.
Debatet në Kuvend
Propozimi i Partisë Demokratike për dekriminalizimin e shpifjes për të gjithë qytetarët u rrëzua nga mazhoranca. Organizatat e lirisë së medias e kanë kontestuar formulimin si "të pjesshëm dhe të pazbatueshëm".