Konferenca e Kryetarëve nuk ka miratuar kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për të hetuar veprimtarinë e kompanisë shtetërore KAYO. Nisma, e depozituar nga grupet parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë dhe Aleancës për Ndryshim, me firmat e 41 deputetëve, synonte verifikimin e marrëdhënieve kontraktuale, përdorimin e fondeve publike dhe dyshimet për trafik ndërkombëtar të armëve.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, argumentoi se kërkesa nuk përmbush standardet ligjore dhe kushtetuese. Sipas Ballës, objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tejet të gjerë, pa identifikuar fakte ose veprime konkrete të zyrtarëve publikë, ndërsa tetë pikat e propozuara janë heterogjene. Mazhoranca theksoi gjithashtu rrezikun e mbivendosjes me hetimet që po kryhen aktualisht nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) lidhur me audiopërgjimet e publikuara në media.
Në mbrojtje të nismës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se qëllimi i komisionit është mbledhja e informacionit për 34 milionë eurot e shpenzuara nga buxheti i shtetit, për të cilat opozita pretendon se nuk është realizuar asnjë prodhim. Bardhi ngriti dyshime mbi rolin e Ron Yefet, duke e cilësuar atë si përfituesin kryesor. Deputetja Jorida Tabaku shtoi se akuzat janë të rënda dhe se Kushtetuta garanton të drejtën e opozitës për të ushtruar kontroll parlamentar, duke krahasuar këtë rast me përvojën e komisionit hetimor për inceneratorët.
Pas mungesës së dakordësisë në Konferencën e Kryetarëve, çështja pritet t’i kalojë seancës plenare për diskutim të mëtejshëm, ndërkohë që debatet politike lidhur me transparencën e fondeve dhe veprimtarinë e KAYO-s mbeten të hapura.