Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë, mori pjesë më 24 shkurt 2026 në prezantimin e fushatës “S’ka Shkurt”, nismë e mbështetur nga OSBE. Kjo fushatë synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e përfshirjes në paligjshmëri dhe krim.
Në fjalën përshëndetëse, Lamallari iu referua urtësisë shqiptare “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”, duke e lidhur me mesazhin e fushatës. Ai vlerësoi aktualitetin e saj në epokën e rrjeteve sociale, ku iluzioni i suksesit të menjëhershëm nxit rrugët e gabuara. Sipas tij, “S’ka Shkurt” është përkthimi modern i kësaj urtësie, pasi çdo rrugë e shpejtë drejt suksesit, që anashkalon ligjin dhe mundin, çon larg ëndrrave.
Ministri e cilësoi parandalimin e kriminalitetit tek të rinjtë prioritet të politikave të Ministrisë së Drejtësisë. Investimi më i madh, tha ai, është mbrojtja e të rinjve nga rrugët e gabuara dhe ofrimi i alternativave reale për zhvillim. “Angazhimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një sistem drejtësie që ndërhyn herët, që parandalon përfshirjen në krim dhe që ofron mundësi të dyta për ata që zgjedhin të kthehen në rrugën e duhur”, theksoi Lamallari.
Ai nënvizoi se krimi rekruton jo vetëm në rrugë, por edhe në hapësirën digjitale, përmes imazheve të luksit dhe narrativave të rreme të suksesit. Përgjigjja duhet të jetë një kundër-narrativë e fortë në këtë hapësirë.
Lamallari përmendi ndërtimin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez, investim madhor me 7 objekte multidisiplinare sipas modelit francez. “E ardhmja nuk ndërtohet mbi frikën, por mbi besimin; jo mbi mashtrimin, por mbi meritën. Nuk ka rrugë të shkurtra drejt suksesit. Ka vetëm zgjedhje. Dhe zgjedhja e duhur është gjithmonë ajo që respekton ligjin, dinjitetin dhe të ardhmen”, deklaroi ministri.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me OSBE-në dhe Qendrën e Parandalimit të Kriminalitetit për të Mitur dhe të Rinj, duke e cilësuar fushatën investim në kulturën e ligjshmërisë.