Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, deklaroi të martën se Moska po komunikon me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet e tjera të rajonit.
“Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, u shpreh Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë Reuters.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Departamentin e Shtetit amerikan dhe Bashkimin Evropian për komente dhe është në pritje të përgjigjeve.
Konteksti në Ballkan
Deklaratat vijnë në një periudhë kur figura të rëndësishme në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani, paralajmërojnë për ndikimin rus në rajon dhe portretizojnë Serbinë si “dorë të zgjatur të Rusisë”.
Serbia ruan marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe është e vetmja në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Analistët e çështjeve politike kanë theksuar se Rusia shtrin ndikimin në Ballkan përmes:
- ndikimit ekonomik;
- dezinformimit;
- aftësisë për të përfituar nga skemat e korruptuara.
Serbia dhe Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – konsiderohen më të rrezikuarat, ku mund të rritet sentimenti i nacionalizmit ekstrem.
Qasja e SHBA-së
Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan Donald Trump firmosi Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili përcakton se SHBA-ja nuk mbështet politika që synojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan përgjatë vijave etnike.
Përditësime
Bashkimi Evropian nuk konfirmon shkëmbime mes palëve të treta dhe thekson rolin e saj si partner kryesor i Ballkanit Perëndimor.
Zhvillime të tjera:
- Qeveria në detyrë e Kosovës nuk komentoi deklaratat e Sergej Lavrovit.
- Kryeministri Albin Kurti në Davos foli për kërcënimin indirekt nga Rusia përmes Serbisë.
- RFE/RL i dërgoi pyetje DASH-it për Kosovën, koordinimin me Evropën dhe rolin e Moskës; pa përgjigje deri më 20 janar.