Aktivistët e Lëvizjes Revolta organizuan një protestë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në ditën e nisjes së seancës konstituive, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zbatimit të Ligjit për Shtetësinë. Pjesëmarrësit theksuan se protesta nuk ka karakter partiak, por synon mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Sipas përfaqësuesve të lëvizjes, kërkesat kryesore drejtuar institucioneve janë:
• Publikimi i numrit të saktë të aplikimeve dhe shtetësive të fituara nga shtetasit e Serbisë që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.
• Shfuqizimi i Ligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Republikës së Kosovës.
• Shfuqizimi i nenit 155 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili sipas protestuesve u mundëson personave që kanë qenë banorë në vitin 1998 të fitojnë shtetësinë.
Rilind Kuçi, përfaqësues i organizatorëve, deklaroi se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave të tyre për transparencë. Gjatë zhvillimit të protestës, qytetarët mbanin pankarta me mesazhe për ruajtjen e shtetësisë, si "Po kërkojmë transparencë, po marrim heshtje" dhe "Shtetësia i takon qytetarëve".
Në një moment të protestës, gjatë mbërritjes së ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, protestuesit brohoritën thirrje për shfuqizimin e ligjit. Organizatorët kanë bërë të qartë se përgjegjësia për këto çështje u takon deputetëve të rinj dhe kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga autoritetet përgjegjëse.