Lëvizja Revolta ka njoftuar mbajtjen e një proteste qytetare ditën e enjte, më 6 gusht, përpara objektit të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Tubimi, i cili pritet të nisë në orën 10:00 në sheshin “Ibrahim Rugova”, synon mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Organizatorët theksojnë se kjo nismë nuk përfaqëson ndonjë përkatësi politike, por është një çështje që lidhet me shtetësinë dhe të ardhmen e vendit. Për të adresuar shqetësimet e tyre, lëvizja ka bërë publike tri kërkesa zyrtare:
• Publikimi i të dhënave për numrin e aplikimeve dhe shtetësive të fituara nga shtetas të Serbisë në bazë të Ligjit për Shtetësinë.
• Shfuqizimi i Ligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Republikës së Kosovës.
• Shfuqizimi i nenit 155 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në thirrjen e saj drejtuar qytetarëve, lëvizja ka deklaruar: “Kjo nuk është çështje partiake. Është çështje e sovranitetit, shtetësisë dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës. Bashkohu”. Përmes këtij tubimi, organizatorët ftojnë qytetarët të shprehin qëndrimin e tyre ndaj këtyre zhvillimeve ligjore.