Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Mit’hat Lozhani u lirua të martën nga burgu në Beograd. Lajmin e bëri të ditur avokati i tij Arianit Koci përmes një postimi në Facebook.
“Lajm i madh: Mit’hat Lozhani u lirua nga burgu në Beograd! Vazhdoj me punu për qytetarin e Kosovës”, shkroi Koci.
Lozhani u arrestua më 5 shkurt 2026 në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, ose gjatë kalimit transit në Serbi, sipas burimeve të ndryshme. Gjatë kontrollit, autoritetet serbe i gjetën në xhep kartën e anëtarësisë si veteran i UÇK-së.
Autoritetet serbe e arrestuan nën dyshimin për pjesëmarrje në sulme ndaj forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ushtrisë së Jugosllavisë në vitet 1998-1999 në zonën e Dukagjinit. Arrestimi ndodhi rreth tre muaj më parë.
Ditë më parë, Arianit Koci kishte njoftuar se Lozhani nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe e kishin vendosur në një repart me ish-pjesëtarë të grupit të Arkanit. Pas arrestimit, avokati kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet kosovare.
Përditësime
Mit’hat Llozhani ka arritur në Kosovë pas lirimit nga burgu në Beograd. Avokati Arianit Koci deklaroi: „Sot është liruar dhe posa ka hyrë në Kosovë. Ka kaluar nëpër një periudhë jo të lehtë. Më shumë informata do t’i japim... Fjalën e dhënë e mbaj. Gjithmonë. Sado që ka rrezik e peripeci.“