Shtetasi Dukagjin Maxhuni është lënë i lirë pas qëndrimit në paraburgim në Serbi. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, përmes një njoftimi ku theksohet se Maxhuni po rikthehet pranë familjes.
Maxhuni u arrestua nga autoritetet serbe më 12 gusht në pikën kufitare të Batrovcit, ndërsa po udhëtonte nga Serbia drejt Kroacisë. Fillimisht, ai ishte ndaluar për verifikim, për t'u transferuar më pas në Beograd, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën pretendimet për krime lufte.
Avokati Koci ka deklaruar se që nga fillimi i këtij procesi kishte vlerësuar se pretendimet ndaj klientit të tij ishin të pabazuara. Ai shprehu angazhimin e tij për të vazhduar ndihmën profesionale edhe për qytetarë të tjerë të Kosovës që, sipas tij, po mbahen padrejtësisht nga autoritetet serbe, duke e cilësuar këtë si misionin e tij profesional.