Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka njoftuar vazhdimin e procesit për lirimin dhe rikthimin në posedim të ligjshëm të pronave të uzurpuara, të cilat janë në administrim të Institutit Bujqësor të Kosovës (IBK). Në kuadër të këtij angazhimi, së fundmi është liruar një pronë në Stankaj të Rugovës.
Sipas njoftimit zyrtar, ky veprim është realizuar në përputhje me Marrëveshjen e Ndërmjetësimit nr. ND.nr.430/25, të datës 19 dhjetor 2025, e cila është miratuar me aktvendim nga Gjykata Themelore në Pejë.
Ministri Armend Muja ka deklaruar se ky proces është pjesë e synimit institucional për mbrojtjen e pasurisë publike dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ai theksoi se çdo pronë e Institutit Bujqësor të Kosovës që shfrytëzohet pa bazë ligjore ose është e uzurpuar, do t'i rikthehet shtetit përmes procedurave të rregullta ligjore.
Vazhdimi i procesit të identifikimit
Ministria ka bërë të ditur se do të vijojë me identifikimin, lirimin dhe mbrojtjen e të gjitha pronave që janë në administrimin e saj, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative për një menaxhim të përgjegjshëm.
Nëpërmjet kësaj komunikate, MBPZhR u ka bërë thirrje të gjithë shfrytëzuesve të paautorizuar që të respektojnë dispozitat ligjore dhe vendimet e organeve kompetente, duke kontribuar kështu në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e pasurisë publike.