Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po zhvillohet seanca e radhës për rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit janë Dushan Maksimoviç, Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç.
Gjatë dhënies së mbrojtjes, Maksimoviç tha se fotoja ku ai shihet me uniformë u realizua në vitin 2022. Ai deklaroi se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 25 prillit 2024.
I akuzuari pretendoi se në procesverbal mungon një pjesë e përgjigjes së tij ndaj pyetjes së Prokurorisë për mënyrën e sigurimit të uniformës dhe angazhimin në detyrë. "Unë nuk kam qenë i angazhuar nga askush dhe për asgjë. Fotografia është bërë në shtëpinë time, jam fotografuar si për argëtim dhe ka qenë hera e parë që kam pasur uniformë të tillë, dhe po ta kisha më herët, nuk do të ishte interesant për mua të bëj foto", u shpreh Maksimoviç.
Dy të akuzuarit e tjerë, Toliç dhe Spasojeviç, zgjodhën mbrojtjen në heshtje në seancën e kaluar.
Më parë, prokurori special Naim Abazi kishte propozuar vazhdimin e gjykimit në mungesë. Gjykata Themelore i drejtohej Gjykatës Supreme për mendim juridik lidhur me nenin 303 par. 7 të Kodit të Procedurës Penale, por Supremja nuk e dha atë, duke sqaruar se nuk jep mendime për dilema të shkallës së parë.
Përditësime
Maksimoviç pretendon se uniforma në foto, e realizuar në 2022 në Banjskë, nuk përputhet me ato të sulmit atje. E kishte marrë uniformën paraprakisht për gjueti, pasi është gjuetar aktiv. Banjska është zonë e favorshme për gjueti dhe natyrë.