Mali i Zi i ka dhënë fund regjimit të udhëtimit pa viza për qytetarët rusë. Nga 1 nëntori 2026, hyrja në vend bëhet me vizë, në kuadër të përpjekjeve të Podgoricës për të harmonizuar politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian. Mali i Zi synon anëtarësimin në BE në vitin 2028.
Viza kushton 35 euro për të rriturit dhe 17,50 euro për fëmijët nën 14 vjeç. Aplikimet mund të dorëzohen në qendrat e vizave VFS Global në nëntë qytete të Rusisë, si dhe në Ambasadën e Malit të Zi në Moskë. Shqyrtimi i aplikimeve pritet të zgjasë nga dy deri në tri javë.
Qytetarët rusë që kanë vizë të vlefshme Shengen ose dokumente të tjera udhëtimi të njohura nga autoritetet malazeze mund të hyjnë në vend pa vizë të veçantë malazeze.
Vendimi i jep fund marrëveshjes së udhëtimit pa viza mes dy vendeve, e cila ishte në fuqi që prej vitit 2008. Moska ka paralajmëruar masa reciproke: nga 30 dhjetori 2026, edhe qytetarët e Malit të Zi do të duhet të pajisen me vizë për të udhëtuar drejt Rusisë.
Ndryshimi i jep fund një regjimi udhëtimi pa viza që kishte zgjatur për më shumë se 18 vjet.