Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes së Kosovës, ka zhvilluar takim në margjinat e Forunit të Sigurisë së Mynihut me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë Mercedes-Benz, Dennis Kinzelmann, dhe drejtorin e shitjeve në sektorin e mbrojtjes, Daniel Zittel.
Gjatë takimit u konkretizua një kontratë trevjeçare për furnizimin me kamionë taktikë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve operacionale dhe modernizimit të flotës ushtarake të Kosovës.
Ministri Maqedonci theksoi se ky partneritet strategjik dëshmon përkushtimin për bashkëpunime afatgjata me prodhues liderë ndërkombëtarë në industrinë e mbrojtjes. Synimi është rritja e standardeve të sigurisë, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë në përmbushjen e misioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në një postim në Facebook, ai shkroi se bashkëpunimi me Mercedes-Benz është konkretizuar përmes kësaj kontrate.