Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me një grup studentësh të nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zurich.
Gjatë takimit, palët diskutuan për rrugëtimin historik të Kosovës, nga përpjekjet për liri dhe lufta e UÇK-së, deri te ndërtimi i institucioneve moderne të mbrojtjes. Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve në sektorin e sigurisë, duke përfshirë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ndikimin e teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale, në sigurinë kombëtare.
Ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë dhe partneritetin me NATO-n për forcimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë. Gjithashtu, u shqyrtuan sfidat aktuale rajonale dhe globale, si dhe aspiratat e vendit për integrim euroatlantik.
Vizita e studentëve në Kosovë përkoi me aktivitetet përkujtimore për 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Maqedonci vlerësoi interesimin dhe pyetjet e studentëve, duke theksuar se shkëmbime të tilla akademike dëshmojnë rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj zhvillimeve demokratike në vend.