Mario Ilievski, futbollist i FC Prishtina, u shpall Ylli i Javës për javën e 22-të të Superligës së Kosovës. Çmimin e ndau Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në bashkëpunim me sponsorin Albi Mall, ndërsa vlerësimin e bëri Komisioni i Veteranëve të Futbollit. Kjo është hera e dytë që Ilievski e merr këtë nderim.
Ilievski realizoi një gol nga distanca më shumë se 40 metra në ndeshjen kundër FC Drita, e cila përfundoi me rezultat 1:1. Sulmuesi 23-vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 6 asiste në këtë sezon.
Pas marrjes së çmimit, Ilievski u shpreh i lumtur. "Fillimisht, faleminderit për vlerësimin. Kam shënuar një gol të çmendur dhe nuk dija as si të veproja; vetëm kam vrapuar tek fansat që të festojmë bashkë. Është një gol që nuk shënohet çdo herë", tha ai.
Ai shtoi se Prishtina ka edhe 14 ndeshje përpara dhe se çdo sfidë është si një finale. "Nuk jemi të lumtur me rezultatet, sepse e dimë që mund të bëjmë më mirë, por do të luftojmë në çdo ndeshje që të dalim në vendin e parë", deklaroi Ilievski. Çmimin e dedikoi tifozëve Plisat, të cilët krijuan një atmosferë të zjarrtë në ndeshje dhe shprehu shpresën që ata të vazhdojnë të mbështesin ekipin.
Sipas raporteve, Ilievski ka oferta nga Europa dhe ka gjasa të largohet nga klubi kryeqytetas gjatë afatit kalimtar veror.