Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se mbrojtja mjedisore përbën një kriter thelbësor në procesin e integrimit të Shqipërisë. Lidhur me projektin e planifikuar në Zvërnec, ajo theksoi se harmonizimi i legjislacionit me standardet europiane mbetet prioritet për mbylljen e Kapitullit 27.
Sipas Marta Kos, marrëveshja për shfuqizimin e amendamenteve të miratuara në vitin 2024, të cilat prekin zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, ishte arritur përpara zhvillimit të protestave qytetare. Ajo u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të veprojnë sa më shpejt për realizimin e këtyre ndryshimeve ligjore.
Duke komentuar situatën, komisionerja vlerësoi se protestat përbëjnë një element të rëndësishëm të demokracisë dhe se mënyra se si qeveria u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve është tregues i qasjes ndaj procesit demokratik. Kapitulli 27, i cili fokusohet te mjedisi, cilësohet nga Brukseli si një prej kapitujve më kërkues gjatë negociatave, për shkak të nevojës për një harmonizim të plotë të ligjeve vendase me ato të Bashkimit Europian.