Një sulm i rëndë ka ndodhur në lagjen KwaMakhutha, në jug të qytetit Durban, në provincën KwaZulu-Natal të Afrikës së Jugut. Mbrëmjen e së martës, persona të armatosur kanë hyrë në një banesë ku po zhvillohej një festë me pjesëmarrjen e 14 personave, përkatësisht 13 burra dhe një grua, e cila dyshohet se ishte shtatzënë.
Sipas informacioneve nga policia, sulmuesit kanë hapur zjarr në drejtim të të pranishmëve, duke shkaktuar vdekjen e 10 personave në vendngjarje, ndërsa një person tjetër ndërroi jetë më vonë në spital. Tre të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes, autorët i vunë zjarrin automjetit të pronarit të banesës.
Autoritetet policore kanë konfirmuar se kanë nisur operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Megjithëse motivi i saktë mbetet i paqartë, policia nuk e përjashton mundësinë e një përplasjeje midis grupeve rivale. Gjithashtu, u bë e ditur se disa prej viktimave ishin nën mbikëqyrjen e shërbimeve të inteligjencës për shkak të aktiviteteve të dyshuara të paligjshme, detaje të cilat nuk janë zbardhur për të mos cenuar ecurinë e hetimeve.
Afrika e Jugut shënon një ndër shkallët më të larta të krimit në nivel global, me të dhëna zyrtare që raportojnë mesatarisht mbi 60 vrasje në ditë.
Përditësime
Autoritetet konfirmuan se bilanci i viktimave është rritur në 14 persona, duke saktësuar se mes të vrarëve janë 13 burra dhe 1 grua, e cila besohej se ishte shtatzënë. Policia bëri të ditur se sulmi u krye nga tre persona të armatosur të martën, pak para orës 23:00.