Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve, në kuadër të zbatimit të ligjshmërisë dhe garantimit të standardeve profesionale në sistemin arsimor.
Ministrja në detyrë Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbeten mekanizma thelbësorë për sigurimin e cilësisë në arsim. Gjatë këtij mandati janë miratuar legjislacioni dhe udhëzimet e nevojshme, si dhe janë zhvilluar takime nëpër komuna për të siguruar transparencë dhe përputhje me standardet profesionale.
Vendimi erdhi pas një inspektimi tematik të kryer nga Inspektorati i Arsimit në një shkollë të Rahovecit, ku u konstatuan shkelje dhe mospërfillje të procedurave ligjore. Bazuar në gjetjet e raportit, janë dhënë rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të zbatohen brenda afateve ligjore. Raporti me gjetje i është dërguar paraprakisht Komunës së Rahovecit.
Në këtë proces ka vepruar Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, duke ushtruar kompetencat e tij ligjore në përputhje me procedurat në fuqi.
Arbërie Nagavci ka theksuar se ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të proceseve arsimore. Ajo ka shtuar se MAShTI do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjen në çdo rast shkeljeje, duke garantuar transparencë, barazi dhe integritet institucional. Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi për një arsim cilësor me standarde.