Në Lezhë u zhvillua takimi i parë konsultues publik në kuadër të reformës territoriale më 22 prill 2026, duke shënuar nisjen e një serie dëgjesash në të gjithë Shqipërinë.
Bashkëkryetari i reformës, Arbjan Mazniku, e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për hapjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktorët vendorë. «Është një privilegj i jashtëzakonshëm që sot zhvillojmë takimin e parë konsultues publik. Ky është i pari i një serie dëgjesash në të gjithë Shqipërinë, për të bërë një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktorët vendor», u shpreh ai.
Sipas Maznikut, rreth 90% e çështjeve që prekin qytetarët lidhen drejtpërdrejt me pushtetin vendor. «Jeta e përditshme është e lidhur me pushtetin vendor dhe kur njerëzit mendojnë për shtetin, në fakt mendojnë për ndërveprimin e përditshëm që kanë me bashkinë», tha ai.
Ai ngriti pyetje kyçe për funksionimin e bashkive, duke vënë në fokus kompetencat, financat dhe kapacitetet e tyre:
- A i kanë bashkitë të gjitha kompetencat?
- A i kanë mundësitë financiare?
- Si qëndron raporti mes të ardhurave që mbledhin vetë dhe atyre që marrin nga qeveria?
- A kanë burime të mjaftueshme teknike për të ofruar shërbimet e tyre?
Mazniku shtoi se debati nuk duhet të mbetet vetëm në nivel politik, por të zhvillohet drejtpërdrejt me qytetarët, me përfshirjen e të gjithë spektrit politik dhe përfaqësuesve të qarkut.
Në kontekstin aktual, ai theksoi se Shqipëria ndodhet në prag të integrimit në Bashkimin Europian, çka lidhet me aftësinë e bashkive për të tërhequr investime dhe për të bashkëpunuar në mënyrë efektive.
Në përfundim, Mazniku nënvizoi se qëllimi i reformës është krijimi i një hapësire reale diskutimi për identifikimin e problematikeve dhe përmirësimin e funksionimit të pushtetit vendor, ndërsa çështja e territorit mbetet një element i rëndësishëm, por dytësor.