Në Vlorë zhvillohet konsultimi publik për reformën e re administrativo-territoriale, në një moment kur Raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, i publikuar më 5 maj 2026, mirëpret punën në vijim të komisionit parlamentar ndërpartiak për këtë reformë.
Raporti thekson se çdo reformë në këtë fushë duhet të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të mbështetur në kritere objektive socio-ekonomike, në përputhje me standardet evropiane të vetëqeverisjes vendore.
Bashkëkryetari i reformës, Arbjan Mazniku, i pranishëm në konsultimin e Vlorës, e cilësoi reformën territoriale të vitit 2014 si një nga reformat më të rëndësishme dhe më efektive të ndërmarra në vend. Kjo reformë ka ndryshuar mënyrën se si qytetarët marrin shërbimet nga pushteti vendor.
“Për shumë njerëz, fytyra e shtetit është bashkia”, u shpreh Mazniku, duke nënvizuar se reforma, e cila reduktoi 373 bashki dhe komuna në 61 bashki, krijoi mundësi më të mëdha për ofrimin e shërbimeve bazë, si infrastruktura, ujësjellësi dhe shkollat.
Sipas tij, të dhënat tregojnë një përmirësim të situatës financiare të bashkive, me rënie ndjeshme të borxhit ndaj palëve të treta krahasuar me periudhën para reformës.
Megjithatë, Mazniku pranoi se situata nuk është e njëjtë në të gjitha bashkitë. Reforma e 2014-s ishte decentralizuese, duke i shtuar më shumë funksione pushtetit vendor, por dinamikat demografike dhe zhvillimore po sfidojnë sot kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore për t’i përmbushur ato.
“Shumë e rëndësishme është që të diskutojmë për mënyrën se si bashkitë i ushtrojnë funksionet e tyre”, theksoi ai. Mazniku përsëriti se debati nuk duhet të fokusohet vetëm te territori dhe ndarjet administrative, pasi “aty ndizen pasionet lokale”, por të zhvillohet së pari një diskutim serioz mbi ushtrimin e funksioneve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.