Mbetje njerëzore që, sipas autoriteteve, i përkasin një burri ende të paidentifikuar, u gjetën në disa çanta shpine në lumin Rajn, në kantonin zviceran të Aargaut, pranë kufirit me Gjermaninë. Policia dyshon se bëhet fjalë për një krim të dhunshëm.
Zbulimi u bë të hënën në mëngjes, në zonën e Stein, kur tre burra që ndodheshin pranë lumit vunë re një çantë shpine në ujë. Pasi e nxorën në breg, gjetën brenda saj një këmbë njeriu dhe njoftuan autoritetet.
Pas sinjalizimit, policia nisi kërkimet në zonë me ndihmën e një varke dhe zhytësve. Gjatë operacionit u gjetën çanta të tjera që përmbanin mbetje njerëzore, të cilat, sipas autoriteteve, i përkasin një burri.
Shërbimi mjeko-ligjor i kantonit të Aargaut po kryen ekzaminimet për të përcaktuar identitetin e viktimës dhe rrethanat e vdekjes. Sipas policisë kantonale, gjetjet paraprake sugjerojnë se burri mund të ketë qenë viktimë e një krimi të dhunshëm.
Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje për vendin ku mund të jetë kryer krimi, rrethanat në të cilat ka ndodhur apo identitetin e autorit të mundshëm. Prokuroria ka nisur hetim penal për të zbardhur ngjarjen.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të japin çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet, veçanërisht nëse kanë vënë re lëvizje ose veprimtari të dyshimta pranë brigjeve të lumit Rajn apo në zona të tjera.