Gjatë periudhës nga janari deri në qershor të vitit 2026, të hyrat nga taksat rrugore në vend kanë shënuar një rritje prej 21.891.532 denarësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas të dhënave nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH), pika më e frekuentuar e pagesës është Tetova, pasuar nga pika si Petrovec, Romanovca, Gllumova, Milladinovci, Zhelina, Gostivari, Stobi, Kadrifakova, Preodi, Sopoti, Demir Kapia, Otovica dhe Gjevgjelia.
Sa i përket të ardhurave të mbledhura në raport me çmimin e biletave, Romanovca renditet në vend të parë, e ndjekur nga Milladinovci, Petrovec, Gllumova, Zhelina, Tetova, Stobi, Preodi, Gostivari, Sopoti, Gjevgjelia, Kadrifakova, Otovica dhe Demir Kapia.
Modernizimi i sistemit të pagesave
Në përgjigje të fluksit të shtuar të trafikut, veçanërisht gjatë sezonit veror, NPRRSH njoftoi se ka aktivizuar të gjitha korsitë e disponueshme në pikat pagesore përgjatë dy korridoreve. Përparësi i është dhënë arkëtimit elektronik përmes pajisjeve MTag dhe MCard, të cilat mundësojnë kalimin pa kontakt ose pa ndalur automjetin. Që nga maji i vitit 2026, pajisjet MTag mund të blihen edhe në rrjetin e shitjes së operatorëve celularë Makedonski Telekom dhe A1 Maqedoni, ndryshim që ka ndikuar në rritjen e përdorimit të këtij sistemi me 6 për qind.
Drejtuesit e institucionit bënë të ditur se po zhvillohet një studim për zbatimin e një modeli të ri të pagesës së taksave, i ngjashëm me sistemin në Serbi, ku tarifa do të llogaritet bazuar në kilometrat e përshkuara. Ky model pritet të zbatohet në Korridorin 8. Për krahasim, gjatë vitit të kaluar, deri më 23 dhjetor 2025, ndërmarrja kishte realizuar një qarkullim prej 4.158.914.362 denarësh (rreth 67,6 milionë euro).