Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) përballet me vonesa të theksuara në shërbimet laboratorike për shkak të dy zjarreve të ndodhura gjatë vitit 2023, të cilat paralizuan funksionimin e rregullt të laboratorit dhe rëntgenit për më shumë se tri vite. Deri më tani, autopsitë po realizohen në kushte të improvizuara, ndërkohë që analizat specifike si toksikologjia, histopatologjia dhe radiografia mbeten të pamundura për t'u kryer.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së, Agron Thaçi, deklaroi për Radio Kosovën se procesi i renovimit të sallës së ekzaminimeve pritet të përfundojë më së largu javën e ardhshme. Pas përmbylljes së punimeve, institucioni do të duhet të kryejë procedurat e testimit dhe kalibrimit të pajisjeve laboratorike, të cilat janë parakusht për rikthimin e shërbimeve të plota. Thaçi theksoi se pas rifillimit të punës, prioritet do t'u jepet mostrave që janë në pritje, ku nga totali prej 700 rasteve, rreth 300 sosh kërkojnë ekzaminim të detajuar sipas kërkesave të Prokurorisë.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria Speciale kanë konfirmuar se janë në pritje të kompletimit të 200 autopsive për shkak të mungesës së shërbimeve laboratorike.
Sfidat në IML vijnë pas një periudhe tensionesh lidhur me sigurinë në këtë institucion. Në dhjetor të vitit 2022, ishte raportuar humbja e 12 mostrave që ndërlidheshin me vdekjen në burg të ish-aktivistit Astrit Dehari, çështje e cila nxiti interesim të gjerë publik. Megjithatë, deri më tani, Ministria e Drejtësisë nuk ka ofruar përgjigje lidhur me kërkesën për raportin hetimor mbi shkaqet e zjarreve që shkatërruan laboratorët e institutit.