Sipas të dhënave zyrtare, rastet me fruth kanë shënuar rritje në vend, duke nxitur reagimin e institucioneve shëndetësore. Xhevrie Canolli, shefe e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ka bërë të ditur shpërndarjen e fëmijëve të vaksinuar sipas grupmoshave për tetë muajt e parë të vitit:
• 2 mijë e 500 fëmijë të moshës 1 deri 5 vjeç;
• 2 mijë e 900 fëmijë të moshës 5 deri 7 vjeç (fëmijë parashkollorë dhe ata që do të regjistrohen në klasë të parë);
• 3 mijë e 140 nxënës të klasës së parë, të cilët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Canolli theksoi se vaksinimi mbetet metoda më efektive për parandalimin e përhapjes së fruthit, i cili mund të shkaktojë komplikime serioze si pneumonia, otiti (me mundësi humbjeje të dëgjimit), apo encefaliti (inflamacioni i trurit). Në raste të rënda, pasojat mund të jenë të përhershme ose fatale. Sa i përket efekteve anësore të vaksinimit, ato janë përshkruar si të lehta, duke përfshirë temperaturë, lodhje, humbje oreksi dhe ënjtje të përkohshme në vendin e injektimit, të cilat zhduken zakonisht brenda dy ditësh.
Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për kujdes dhe verifikim të kartelave të vaksinimit, duke kërkuar që prindërit dhe kujdestarët të mos ndikohen nga dezinformatat ose teoritë konspirative të paverifikuara shkencërisht lidhur me sigurinë e vaksinave. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përsëriti qëndrimin se vaksinimi është mbrojtja më e sigurt për shëndetin e fëmijëve.
Përditësime
Autoritetet shëndetësore konfirmuan 151 raste me fruth në periudhën 16 prill – 30 gusht. Mbi 95% e të prekurve janë persona të pavaksinuar. Numri i fëmijëve të vaksinuar deri në fund të gushtit arriti në 8 mijë e 540, duke tejkaluar shifrën e raportuar më herët prej 8 mijë fëmijësh.
Autoritetet shëndetësore raportuan një rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve të imunizuar kundër fruthit. Sipas të dhënave të fundit, fushatës së vaksinimit i janë shtuar: 2 mijë e 500 fëmijë të grupmoshës 1-5 vjeç, 2 mijë e 900 fëmijë të grupmoshës 5-7 vjeç dhe 3 mijë e 140 nxënës të klasës së parë. Këto shifra e çojnë numrin total të fëmijëve të vaksinuar në mbi 17 mijë, duke dyfishuar shifrën e raportuar më parë.
Numri i rasteve me fruth është rritur në 158, nga 151 të raportuara më parë, pas regjistrimit të 7 infeksioneve të reja gjatë javës së fundit. Në të njëjtën kohë, procesi i vaksinimit të vonuar (catch-up) ka siguruar imunitetin për mbi 2,700 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.