Media franceze SciencePost.fr i ka kushtuar një reportazh të zgjeruar sistemit të fortifikimit të ndërtuar nën regjimin e Enver Hoxhës. Ky projekt, i konsideruar si një prej më të mëdhenjve në Evropë, kishte si qëllim mbrojtjen e vendit nga një pushtim që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas raportimit, fushata e bunkerizimit arriti një dendësi prej gjashtë bunkerësh për çdo kilometër katror.
Ndërtimi i qindra mijëra strukturave të betonit pasqyronte politikën e izolimit të Shqipërisë. Pas ndarjes nga Bashkimi Sovjetik, tërheqjes nga Traktati i Varshavës në vitin 1968 dhe prishjes së lidhjeve me Kinën, udhëheqja e kohës besonte se vendi ishte i rrethuar nga armiq.
Sot, mbi 173 mijë bunkerë vazhdojnë të jenë të pranishëm në peizazhin shqiptar, nga malet deri në bregdet. Këto struktura, që dikur përfaqësonin frikën e regjimit komunist, kanë ndryshuar funksion, duke shërbyer në disa raste si atraksione turistike në vend të qëllimit të tyre fillestar ushtarak.