Rrjeti italian Mediaset, pas RAI 3, i ka kushtuar vëmendje investimit të Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner në ishullin Sazan pranë Vlorës. Emisioni "Realpolitik", i transmetuar në Rete4 më 13 shkurt 2026, mban titullin "Trumpët blejnë një ishull përballë Italisë".
Gazetari Dario Artale u përpoq të lundronte drejt ishullit, por u kthye mbrapsht pasi persona në breg i komunikuan se zona mbetet ushtarake dhe hapet vetëm gjatë verës. Reportazhi paraqet të dyja pikëpamjet për projektin.
Bregdeti i Vlorës po zhvillohet si kantier për turizëm luksoz, jo masiv. Ndërtuesi Endri Kollozi rrëfen ndërtimin e një kulle 34-katëshe ekskluzive pranë bregdetit, me çmime të larta. Ai shprehet se Sazani, ishull i shkretë, do të kthehet në xhevahir dhe do të përfitojnë të gjithë shqiptarët dhe vlonjatët.
Projekti prek edhe Zonën e Mbrojtur të Zvërnecit. Ekologjisti Melitjan Nezaj, aktivist i organizatës PPNEA, e cilëson shkatërrues. Ai thotë se ndodhet në brendësi të një zone të mbrojtur nga ligji shqiptar, por kanë arritur të ndikojnë për ta ndryshuar atë. Nezaj lidh projektin me Donald Trump, duke thënë se politikanët shqiptarë kërkojnë vëmendjen e personazheve të fuqishëm dhe fuqia e tyre tejkalon natyrën në vende në zhvillim.