Mereme Sela, kandidatja në garën për kreun e Partisë Demokratike, reagoi pas skualifikimit të saj nga ky proces zgjedhor, i parashikuar për 23 maj.
Ajo deklaroi se njoftimin e mori përmes mediave, çka e konsideroi të papranueshme. Sipas Selës, vendimi është i padrejtë dhe i pajustifikuar. "Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me Statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është profesori Berisha", u shpreh ajo.
Sela paralajmëroi se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqesë ankesën zyrtare. Megjithatë, nuk pret reagim serioz nga Partia Demokratike, pasi kjo është praktikë e përsëritur ndër vite. "Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot", theksoi ajo, duke falënderuar për mbështetjen.
Përditësime
Mereme Sela ka adresuar paralajmërime specifike drejt:
- Gjykatës së Tiranës për pezullimin e procesit të zgjedhjeve;
- SPAK-ut për hetim penal ndaj Sali Berishës;
- Ambasadave të SHBA-së, BE-së dhe MB-së, si dhe medias.
Ajo e cilëson eliminimin e pesë kandidatëve, përfshirë Evi Kokalari, Alesia Balliu, Ervin Salianji dhe Vladimir Mula, si "atentat ndaj demokracisë".
Sipas Selës, Sali Berisha humbi zgjedhjet e 2025-ës, nuk përmbush statutin e PD-së, është "non grata" në SHBA dhe Londër, dhe po manipulon zgjedhjet.