Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar lidhur me shtrenjtimin e çmimeve të derivateve të naftës, zhvillim i vërejtur gjatë ditëve të fundit. Në një deklaratë për mediat, ai njoftoi se institucionet qeveritare po e ndjekin nga afër situatën në treg.
Sipas kreut të qeverisë, pavarësisht luhatjeve, vendi mbetet në pozitat më të favorshme sa i përket kostos së karburanteve krahasuar me shtetet e tjera të rajonit. "Ndjekim situatën me naftën. Ne ende jemi vend, i cili është me çmimet më të ulëta në rajon kur bëhet fjalë për benzinën dhe dizelin", u shpreh Mickoski.
Ai u ka kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, duke garantuar se ekzekutivi do të ndërtojë masa konkrete nëse situata e kërkon, në përputhje me praktikën e ndjekur deri më tani. Kryeministri sqaroi se këto çmime përcaktohen nga tregjet globale dhe nuk varen nga performanca e biznesmenëve apo politikanëve vendas.
"Do të vazhdojmë të jemi shteti me çmimin më të ulët të benzinës dhe dizelit, edhe pse është prodhim i bursës dhe nuk varet nëse është biznesmen më i mirë apo më i keq, politikan më i mirë apo më i keq. Të gjithë furnizohemi nga i njëjti vend", deklaroi Mickoski.