Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski deklaroi se provimi i jurisprudencës duhet lejohet në gjuhën shqipe, nëse dikush e kërkon. Ai u shpreh se Ligji për gjuhët është i qartë dhe nuk ka asgjë kontestuese për ta mohuar një kërkesë të tillë.
Studentët shqiptarë të fakultetit të juridikut kanë dorëzuar peticion në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Ata kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Igor Filkov, i është përgjigjur negativisht peticionit. Sipas saj, Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk parashikon dhënien e provimit në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, pasi kjo verifikon njohjen e saj si kusht për ushtrimin e profesioneve të gjyqtarit, prokurorit, avokatit, noterit apo përmbaruesit.
Deklarata e kryeministrit është në kundërshtim me pozicionin e ministrisë. Bujar Osmani nga BDI kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Drejtësisë dhe kritikoi përfaqësuesit e VLEN-it. Opozita shqiptare ka paralajmëruar dorëzimin e ndryshimeve ligjore për të mundësuar provimin në shqip.