Microsoft ka nisur një program të ri për largim vullnetar nga puna, i cili u ofrohet rreth 60 mijë punonjësve në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Indi dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kompania e konfirmoi nismën për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), gjashtë muaj pas zbatimit të programit të parë të këtij lloji.
Oferta vlen për kategori të caktuara punonjësish, deri në nivelin e zëvendëspresidentit. Ajo përjashton disa punonjës të qendrave të të dhënave, si dhe pjesë të stafit të shitjeve dhe marketingut. Punonjësit që pranojnë ofertën do të marrin kompensim me kushte të ngjashme me ato të largimit të nisur nga punëdhënësi.
Në një letër drejtuar stafit, drejtuesja e Burimeve Njerëzore, Amy Coleman, e përshkroi programin si një mënyrë për ta përshtatur fuqinë punëtore me nevojat në ndryshim të kompanisë. Ajo nuk e lidhi drejtpërdrejt ofertën me ndikimin e inteligjencës artificiale. Microsoft pret që pjesëmarrja të jetë dukshëm më e ulët se në programin e prillit.
Programi i mëparshëm iu ofrua rreth 8,750 punonjësve në SHBA dhe u pranua nga afërsisht një e treta e atyre që plotësonin kriteret. Ai ishte i hapur për punonjësit, mosha dhe vitet e shërbimit të të cilëve në kompani arrinin së bashku të paktën 70 vjet. Në korrik, Microsoft tha se pozicionet e liruara përmes kësaj skeme nuk do të zëvendësoheshin nga inteligjenca artificiale. Kostoja e programit u raportua në 900 milionë dollarë.
Riorganizimi i stafit ka vijuar edhe përmes shkurtimeve të vendeve të punës. Në fillim të korrikut, kompania shkurtoi rreth 4,800 vende pune, ose 2.1 për qind të fuqisë së saj punëtore globale. Gjatë vitit 2025 kishte eliminuar më shumë se 15 mijë pozicione. Sipas raportit vjetor, numri i punonjësve ra me 5 mijë gjatë vitit që përfundoi më 30 qershor, rënia e parë e këtij treguesi që nga viti 2016. Në fund të qershorit, Microsoft kishte rreth 223 mijë punonjës.
Në tremujorin prill-qershor, kompania shpenzoi 41 miliardë dollarë, kryesisht për qendra të të dhënave dhe çipa të nevojshëm për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Rezultatet financiare për tremujorin korrik-shtator pritet të publikohen të mërkurën. Microsoft kishte parashikuar se investimet për atë periudhë do të kalonin 50 miliardë dollarë.