Në selinë e NATO-s në Bruksel po zhvillohet ministeriali i ministrave të Mbrojtjes, ku në fokus është forcimi i kapaciteteve ushtarake, modernizimi i industrisë së mbrojtjes dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm në Ankara. Agjenda përfshin gjithashtu punën e Grupit të Planifikimit Bërthamor dhe takimet e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi nevojën për një bazë industriale më të fuqishme dhe ndarje të drejtë të përgjegjësive. Ai bëri të ditur se aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes me mbi 90 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, një rritje prej gati 20%. Rutte shpjegoi se, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përshtatin kontributet në Modelin e Forcave, ato mbeten plotësisht të angazhuara ndaj Aleancës.
Në këtë takim, Shqipëria përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Vendi ka arritur për herë të parë objektivin e NATO-s prej 2% të PBB-së për shpenzimet ushtarake, duke investuar rreth 570 milionë dollarë gjatë vitit 2025 për modernizimin e pajisjeve dhe teknologjisë.
Një tjetër temë kyçe është zbatimi i objektivit të ri të miratuar në Samitin e Hagës, i cili kërkon investim deri në 5% të PBB-së në mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035. Ky objektiv parashikon ndarjen e shpenzimeve në:
• 3.5% për kapacitetet ushtarake bazë;
• 1.5% për infrastrukturën kritike, sigurinë kibernetike dhe industrinë e mbrojtjes.