Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, foli për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë në emisionin "Ditari i Pasdites" të A2 CNN me gazetarin Pandi Gjata.
Ai theksoi se shërbimet e kadastrës ofrohen kryesisht online përmes portalit E-Albania, duke mos kërkuar domosdoshmërisht prani fizike në territor. "Sot marrëdhënia me zyrën e Kadastrës nuk është më te sporteli, por është nëpërmjet portalit", u shpreh Demo.
Sipas tij, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) përballet me sfida të mëdha institucionale në territor, por ka ndërmarrë nisma të bazuara në teknologji. Në Tiranë ndodhen prej kohësh kadrat e Shkodrës, Vorës dhe Durrësit, ndërsa tani është shtuar edhe ajo e Vlorës.
Demo përmendi rolin e bashkive në digjitalizimin e shërbimeve në nivel vendor. Në vitin 2026 do të nisë një proces i tillë, ku bashkitë do të përdorin strukturat e tyre për të ndihmuar qytetarët. Ai rikujtoi se, në fillimet e E-Albania-së, bashkitë dhe njësitë administrative vunë në dispozicion zyrat për qytetarët me mungesë njohurish për sistemin.
"Nuk mund të krijojmë sisteme që përjashtojnë", nënvizoi Demo, duke u shprehur i bindur për qasje gjithëpërfshirëse.